16 Maj 2024
Banorët e 8 fshatrave: Lubalesh, Smollik, Kojovec, Lejçan, Tërnovë e vogël, Tërnovë e madhe, Okshtun i vogël, Okshtun i madh, Sebisht dhe Muglicë, në Bulqizë, ankohen për gjendjen e rrugës së tyre.
Ata thonë se kanë më shumë se 30 vite që presin shtetin t’u rikonstruktojë rrugën, por kërkesat e banorëve të 8 fshatrave kanë rënë në vesh të shurdhër. Në vend që të jetë një rrugë e sigurt për udhëtim, ajo është kthyer në një sfidë për banorët, të cilët janë të detyruar të përballen me kushte të vështira dhe të rrezikshme çdo ditë. Gropat e thella dhe balta e bëjnë udhëtimin e vështirë, veçanërisht gjatë stinës së dimrit, ku ka pasur edhe aksidente automobilistike. Banorët thonë se janë të harruar nga autoritetet vendore dhe qendrore, duke u përballur me mungesën e investimeve jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në sektor të tjerë.
Ata kërkojnë një reagim të menjëhershëm, që zona të mos shpopullohet edhe më shumë.