“Mjeshtri i Madh”, “Qytetar Nderi” i Matit, “Ambasador për Paqe”, mjeku stomatolog Sali Kurti ka marrë një tjetër vlerësim të lartë nga Federata e Paqes Universale për vendet e Ballkanit me seli në Tiranë. Me një vendim unanim kryesia e Ambasadës së Paqes Universale i ka dhënë titullin e lartë e të merituar “Njeriu i vitit 2023”, mjekut të mirënjohur matjan, doktor Sali Kurtit, me motivacionin e përcjelljes së paqes nëpërmjet ndihmës së dhënë personave të veçantë dhe shtresave në nevojë. Aktiviteti, i cili u mbajt në mjediset e godinës së Ambasadës së Paqes Universale në Tiranë, kishte mbledhur personalitete të larta nga mbarë trojet shqiptare. Ish-Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, personalitete nga fusha e kulturës, gazetarisë etj. Gazetari i mirënjohur Defrim Met’hasani tha se kontributi i doktor Sali Kurtit në shërbim të komunitetit ka qenë i jashtëzakonshëm për vitin 2023, ndaj dhe vendimi për ta shpallur “Njeriu i Vitit” ka qenë unanim. Titullin e lartë “Njeriu i vitit”, “Mjeshtrit të Madh” doktor Sali Kurtit, ia dorëzoi ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu.

 “Njeriu i vitit” Sali Kurti në fjalën e tij të rastit tha se ky vlerësim është një motivim për të vazhduar kontributin për përcjelljen e paqes edhe në të ardhmen.

Mjekja stomatologe që punon prej shumë vitesh në klinikën “Mati Dental”, Gledis Vrapi tha se doktor Saliu ka qenë më shumë se një punëdhënës, pasi i ka ndihmuar të gjithë kolegët të rriten profesionalisht.

 Mjeku stomatolog, doktor Sali Kurti ka një karrierë të gjatë në fushën e stomatologjisë, ku kontributin e tij e ka nisur që në Mat për ta vazhduar sukseshëm prej shumë vitesh kryeqytet. Për punën dhe kontributin e pashoq të dhënë Sali Kurti është nderuar deri tani me disa tituj të lartë si “Mjeshtër i Madh”, “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat dhe “Ambasador për Paqe”.