Lindi në Mat, në fshatin Muzhat, në vitin 1848. Ishte biri i hoxhës mullah Hasan Ruçi. Xhaxhai i tij i cili jetonte e shërbente si furrëtar në Edrene e mori pranë vetes. Rexhepi u inkuadrua në shërbimin ushtarak dhe në ushtrinë e Perandorisë Osmane.

U ngjit në karrierë dhe u emërua komandant i Armatës së Bagdadit në Irak. U ngjit edhe më lart duke u emëruar Vali i Tripolit të Libisë. Për Rexhep pashën shkruajnë Sjefi Vllamasi, Ismail Qemeli dhe Eqerem bej Vlora, bashkëkohës të tij të cilët e paraqesin si personalitet me shumë karakter. Eqerem bej Vlora në librin e tij “Kujtime”, rrëfen takimin me pashën e kuqërremtë si norvegjez. Ai shkruan se përmes shoqërisë me djali e tij, shkuan dhe takuan pashën Rexhep pasha. Kur hynë në sarajet e tij në vendin ku ai po i priste, bashkë me të u ngrit në këmbë edhe një luan. Rexhep pasha mbante luan indian në saraje pranë tryezës së punës. Ma kanë dhuruar kur isha komandant në Bagdad, u kishte thënë pasha. Xhemal Kusi në librin e tij dedikuar Esad pashës shkruan edhe mbi Rexhep pashën duke na treguar se ai kishte nam të madh në Stamoll. Përveç namit kishte edhe autoritet të madh në mardhënie me Portën. Kur e kishin thirrur në saraj për tu konsultuar me të në lidhje me luftën, ai u kishte shkuar pa unifomë  pa nishane e si njeri i thjeshtë. Zyrtarët e kabinetit të sulltanit të cilit nuk e njihnin si fytyrë por duke dëgjuar rrëfenjat, kishin menduar se do u vinte një pasha me nishane, me daulle, me eskortë e me ceremoni. Kur ata kanë shprehur habi se a ky qenka Rexhep pasha, pasha ka lëshuar ironi disi fyese për ta e për sulltanin, në formë keqardhjeje për shtetin se në duart e cilëve njerëz ka përfunduar.

Revolucionarët nacionalistë shqiptarë i kishin varur shpresat tek Rexhep pasha si njeri kyç për të nisur rebelimin duke zbarkuar përmes Libisë në Selanik. Andon Zako Çajupi këto shpresa i shprehu edhe me vargje duke shkruar:
“Ngrehu, Rexhep pashë, ngrehu
Ngrehu se të thërret Atdheu,
Në ke zemër e namu
Mos rri në Tarabulluz”. Tarabulluz quanin Libinë.

Mirëpo Rexhep pashë Mati nuk mundi të ngrihej e të zbarkonte, kjo për shkak të mosrakordimit të kushteve politike. Nuk u bënë bashkë kushtet, personat, fuqitë. Pas rrëzimit të Sulltan Abdyl Hamidit II në 1908, Rexhep pasha u thirr në Stamboll ku u emërua Minsitër i Luftës. Vdiq 24 orë pas marrjes së detyrës. Enigma mbi të është a u helmua apo vdiq natyrshëm? Kjo nuk u sqarua ndonjëherë.

Rexhep pashë Mati radhitet tek shqiptarët e spikatur të cilët shkëlqyen përgjatë historisë.

Kuruar nga Indrit Vokshi