Këtë të martë, në Ulëz të bashkisë Mat u mblodh Komiteti i Menaxhimit të ZM të Qarkut Dibër, ku morën pjesë prefekti i Qarkut Nexhbedin Shehu, n/prefekti i Matit Hasan Pasha, kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj dhe kryetari i Bashkisë Dibër Rahim Spahiu. Të pranishëm ishin dhe Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtur në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Daniel Pirushi, përfaqësues të Komisariatit të Policisë Mat, aktorë vendorë, etj.

Drejtoresha e AKZM Daniel Pirushi, pas këtij takimi tha për ‘Mat Tv” se mesazhet që u përcollën lidheshin me rishikimin e gjithë rrjetit të Zonave të Mbrojtura, me një specifikë shumë të veçantë ku asnjë centimetër nga këto Zonat të Mbrojtura nuk do të ndryshojë.  Gjithashtu është shumë e rëndësishme, tha Pirushi, që të bashkërendojmë dy elementë të rëndësishëm, turizmin me konservimin dhe menaxhimin e ekonomisë së zonave të mbrojtura, ku në thelb është Njeriu brenda këtyre Zonave:

Ndërsa Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, theksoi se qëllimi i këtij takimi ishte që të merren masa për sezonin turistik, në kuadër edhe të risive të reja që sjell ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, i amenduar në fillim të këtij viti, me synimin për të vendosur një ekuilibër të rishikuar midis zonave të mbrojtura e nevojës që kanë komunitetet dhe pushteti vendor për zhvillimin ekonomik të territoreve të tyre, si dhe për një riformulim e qartësim të aktiviteteve të lejuara në zonat e mbrojtura.

Në takim u diskutuan disa problematika të konstatuara në Zonat e Mbrojtura, siç është prerja e paligjshme e pyjeve, nevoja për një menaxhim të plotë të mbetjeve, rivitalizimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore, ndalimin e gjuetisë së paligjshme apo peshkimit abuziv, si dhe mobilizimin e çdo strukture për administrimin sa më efikas të situatave që krijohen nga zjarret.