Në rubrikën ‘‘Libra të rinj matjanë‘‘ ju prezantojmë monografinë ‘‘Edhe zogjtë e duan atdheun”, me poema, poezi e folklor shkruar nga intelektuali, antifashistit dhe nacionalisti matjan Islam Musa Vani, përgatitur me rastin e 100-vjetorit të lindjes nga djemtë e tij.
I du njerzit, botën mbarë/ por më shumë gjendem shqiptar/ Jonin du më shumë se Egjeun/ edhe zogjtë e duen atdheun. Unë e due Shqipërinë/ si bylbyli e don lirinë/ por më shumë vendlidhjen time/ për të zemra ruen kujtime — ishte ky një nga frymëzimet e ndjera të intelektualit Islam Vani, shkëputur nga kujtimet e tij biografike.
Për të gjithë ata që nuk e njohin Islam Vani është lindur në Derjan të Matit në vitin 1920, por vitet e tij të jetës ishin vetëm 40. Ato ishin vite të stuhishme pasi u rrit dhe edukua në Tiranë në shkollën teknike “Harry Fultz, e më pas në Milano dhe Modena. Si një i ri me tipare atdhetare të flakta ushtria pushtuese italiane e dënoi si dezertor, ndërsa dënimi i dytë i erdhi nga forcat partizane si pjesëtar i Legalitetit. Ndonëse u shpëtoi të dy këtyre dënimeve, dënimit të natyrës nga shfaqja e tuberkulozit nuk i shpëtoi dot, duke lënë pas tre djem Rizain 9 vjeç, Sokolin 7 vjeç, Musain 5 vjeç dhe bashkëshorten Fatmirën shtatzënë me Islamin e ardhshëm.
Por jo vetëm kaq intelektuali jetëshkurtër la pas dorëshkrime të shumta, që përshkruhen me imtësi në këtë libër, duke bërë kurioz lexuesin me shoqërinë studentore të Islam Vanit me Mehmet Shehun, Nazmi Rushitin, Gjin Markun, Asim Zenelin etj. Kurioziteti ngjallet më tej me jetën studentore të Vanit në Itali ku u dërgua me bursë në Kolegjin Ushtarak të Milanos, e më pas në Akademinë ushtarake në Modena, ku u diplomua me gradën e lartë n/toger, e ku me këtë gradë shërbeu në ushtrinë e përbashkët italo-shqiptare derisa u arratis për t’i kthyer pushkën fashizmit së bashku me Asim Zenelin e Koto Hoxhën për të përfunduar në çetën e Abaz Kupit e Mustafa Kaçaçit në Mat. Çlirimi intelektualin Islam Vani e gjeti në Tiranë ku fillimisht shërbeu si mësues e më pas në Peshkopi, për të cilën ruan kujtime shumë të bukura të frymëzuara nga poezitë e këngët lirike e patriotike, por dhe folkorin e pasur me taban dibran, që e joshin më shumë lexuesin. Por jeta e Islmait do të mbyllej shpejt, ashtu si dhe jeta e Migjenit, që të dy të prekur nga tuberkulozi. Ndarja e parakohshme nga jeta e Islamit nuk e la në vetmi familjen e tij pasi i gjithë fisi i Vanëve nga Gjalishi i Matit, e në veçanti Xhelal Vani u përkujdesën shumë për fëmijët e mbetur jetimë.
Në pjesën e dytë të librit ‘‘Edhe zogjtë e duan atdheun” lexuesi do të njihet me krijimtarinë letrare në poema e poezi si dhe folkorin e mbledhur të Islam Vanit. Ato përshkohen nga filli i tabanit popullor, por dhe lirizma e atdhedashuria.
Libri bëhet akoma më atraktiv me lexuesin pasi në pjesën e fundit gjenden një dyzinë me gjëegjëza dhe proverba popullore shqiptare të mbledhura nga Islam Vani kryesisht në Dibër, por dhe në vise të tjera të Shqipërisë, ku lexuesi mund të provojë dhe mprehtësinë e gjykimit të tij.
Libri ‘‘Edhe zogjtë e duan atdheun” i Islam Vanit dhe për Islam Vanin është një inmemorium i gjallë për të duke na përçuar edhe njëherë mesazhin se njerëzit që i shërbejnë mëmëdheut dhe që lënë gjurmë pas, mbeten yje të pashuara. Ndaj nuk ishte rastësi që pas vdekjes, në vitin 1993, Islam Vani është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, me motivacionin “Për kontributin e dhënë për edukimin patriotik e atdhetar në disa breza në trevën e Dibrës.