Është prezantuar të Martën në ambjentet e stadiumit “Liri Ballabani” trajneri i ri i ekipit të Burrelit, Alert Alcani dhe zëvendësi i tij Renato Hoti. Ky i fundit u vendos në krye të skuadrës matjane vetëm një ditë më parë. I pranishëm në prezantimin e stafit të ri Teknik ishte edhe Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj e Drejtori Teknik Klevis Gjoka. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Malaj tha se objektivi ka qenë i qartë që në fillim të sezonit, superliga, ndaj dhe kërkoi angazhim maksimal nga të gjithë pjestarët e skuadrës për ta arritur këtë synim.

“Pothuajse deri në fund të fazës së parë patëm Patushin si trajner dhe unë dua ta falenderoj për atë çfarë dha. Në fakt sporti është me targetin, me rezultate dhe objektiva. Nuk është që ne vetëm të jemi pjesë e kategorisë së parë, por Burreli duhet të jetë pretendent pasi ne kështu e kemi nisur që në fillim të sezonit që të kalonim në superiore. E falenderojmë trajnerin që iku. Sot kemi trajnerin e ri, Alert Alcanin i cili ka qenë pjesë e Burrelit, e ka drejtuar skuadrën edhe në fillimet e mia si Kryebashkiak. Ai e njeh shumë mirë Burrelin dhe sportklubin, ka karrierë të gjatë jo vetëm si futbollist por edhe si trajner. Unë dua ta falenderoj që mori përsipër drejtimin e skuadrës, pasi e kemi nisur në një fazë, unë në fillimet e mia si kryetar bashkie me ekipin plot probleme që gjeta. Ku nga një ekip drejt rënies e mbyllëm në vendet e para të grupit. Ja njohim aftësitë dhe organizimin që bën e vlerësoj dhe kam bindjen se do të arrijmë objektivat e fillimit. Por dua tju them se përgjegjësia nuk bi vetëm mbi trajnerin. Në të vërtetë Patushi mori pjesën e ngarkesës së tij, por duhet që gjithësecili nga ne të marrë përgjegjësitë e veta. Duke nisur nga unë i pari, e deri tek i fundit. Jua kam thënë që në fillim se e konsideroj veten time pjesë e ekipit, jo vetëm ligjërisht por edhe fizikisht. Kështu që nga unë i pari, mbaj përgjegjësitë e mia deri tek i fundit. Nëse ne nuk jemi të gjithë grup,. Pra ekip siç ka edhe emrin nuk mund të arrijmë rezultatet që i kemi vënë vetes në fillim të fazës” – tha Malaj.

Vetë trajneri Alert Alcani u shpreh se përgjegjësia për të mbajtur fanellën e Burrelit është shumë e madhe, ndaj duhet angazhim dhe seriozitet në maksimum.

Falenderoj kryetarin për besimin dhe shpresoj që këtë besim ta kthejmë në punë dhe rezultat. Djema, gjysmat më njihni e me gjysmën prej jush kam punuar. Puna do të nisë që sot për të menduar për ndeshjen e radhës. Duhet ta nisim me seriozitet dhe disiplinë se po nuk patëm këto nuk e kemi punën mirë. Unë ju pash edhe në ndeshjen me Vorën dhe jam i bindur që keni mundësi të bëni akoma më shumë. Ne nuk duhet të mendojmë asgjë tjetër, veç arritjes së objektivave që ka klubi. I tillë kam qenë edhe unë kur isha futbollist por edhe si trajner synoj majat” – deklaroi Alcani.

 Pas prezantimit, trajneri Alcani nisi menjëherë me seancën e parë stërvitore për shkak edhe të rëndësisë që ka ndeshja e radhës që do të luhet në Burrel ndaj Apolonisë.