Ekipi i Burrelit vijon të jetë në merkato edhe pse ditët për nisjen e kampionatit po shkojnë drejt fundit. Deri tani është plotësuar vetëm stafi tenik, ku pas zyrtarizimit të trajnerit Gentjan Stojku dhe ndihmësit të tij Renato Hoti, klubi ka rënë dakord edhe për trajnerin e portierëve. Stërvitësi i tyre do të jetë Kastriot Rama i cili më parë ka qenë trajner portierësh tek Laçi por edhe Administrator i KF Burreli për më shumë se një sezon.
Mësohet se mes Ramës dhe drejtuesve të Klubit është rënë dakord që të nisë menjehërë puna. Për të parë nga afër skuadrën që po stërvitet në Pezë Helmes ka qenë edhe vetë Kryebashkiaku i Matit Agron Malaj. Mësohet se ky i fundit ka kërkuar përgjegjshmëri maksimale në ndërtimin e skuadrës nga stafi teknik dhe drejtuesit e klubit. Malaj ka ofruar mbështetjen e tij maksimale për ekipin duke iu siguruar atyre që do të jetë një ndër ndjekësit e rregullt në çdo ndeshje.
Ndërkaq trajneri i emëruar një javë më parë Gentjan Stojku është në kërkim të futbollistëve cilësor për të plotësuar kështu vendet vakante në të gjitha repartet.
Ende nuk ka emra konkret por mësohet se skuadrës i janë bashkuar disa element të cilët po testohen nga stafi teknik.