Ekipi ynë i futbollit “Burreli” zhvilloi këtë të shtunë ndeshjen e radhës të luajtur në stadiumin “Liri Ballabani”. Por ashtu si me “Luzi i Vogël 2008”, djemtë e drejtuar nga tekniku Klevis Hima nuk ja kanë dalë të fitojnë përballjen as me skuadrën tjetër kavajase atë të “Besës”. Megjithëse loja nisi me një optimizëm të madh nga vendasit, këta të fundit nuk arritën të rrezikojnë siç duhen portën mike. Matjanët patën një favor numerik në minutën e 19 të pjesës së parë pas daljes me të kuqe të Perjas, i cili goditi me kokë një nga lojtarët e Burrelit. Por avantazhi numerik nuk do të zgjaste shumë pasi numrat do të barazoheshin në minutën e 45, teksa Kastrati merr kartonin e dytë dhe gjyqtari kryesor e nxjerr me të kuqe. Pjesa e dytë nis barabartë si nga ana numerike ashtu edhe nga rezultati. Duhet thënë se miqtë ishin më energjik dhe patën disa raste në portën matjane, të cilat u ndaluan nga portieri Dani. Megjithatë djemtë e drejtuar nga ish-trajneri i Burrelit, sot i Besës, Dorian Bubeqi arritën të gjejnë golin e fitores. Në minutën e 88 është BA që shënon për Besën, duke siguruar tri pikë shumë të vlefshme për të për tju larguar zonës së ftohtë të kategorisë së parë.

Minutat e mbetura dhe ato shtesë nuk ndryshuan asgjë duke u mbyllur gjithçka Burreli 0 e Besa 1. Ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan: Flamurtari Tomori 3 me 1, Apolonia – Vora 2 me 1, Korabi – Elbasani 2 me 3, Lushnja – Bylis 1 me 2 dhe Kastrioti – Luzi Vogël 2008 0 me 1.