Janë zhvilluar të dielën e 28 Prillit ndeshjet e javës së 31 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Kjo javë kishte vendosur Burrelin përballë Lushnjës, ndeshje e cila u luajt në stadiumin “Liri Ballabani”. Matjanët kanë arritur të marrin tri pikë të plota në këtë përballje falë golit të Fetaj dhe autogolit të shënuar nga Kasmollari. Fillimisht është fetaj i cili merr një top nga Zani brenda zonës së rreptësisë dhe kalon ekipin e Burrelit në avantazh.

Ndërkohë, miqtë shtojnë presionet ndaj postës matjane, por nuk arrijnë dot të çajnë barrikadën e vendosur nga mbrojtja. Teksa pritej të mbyllej pjesa e parë është sërish Zani që dërgon një top në zonë, ndërsa mbrojtësi lushnjar Kasmollari e dërgon topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë miqtë tentojnë me shumë sulme por nuk arrijnë të finalizojnë asnjërin prej tyre duke u mbyllur e gjithë ndeshja Burreli 2 e Lushnja 0. Me tri pikët e marra në këtë përballe Burreli shkon në kuotën e 34 pikëve, por nuk ndryshon pozicion në tabelën klasifikuese duke bërë që të vijojë të qëndrojë në vendin e 9. Ndeshjet e tjera të luajtura të dielën përfunduan: Tomori – Kastrioti 0 me 3, Luzi Vogël 2008 – Apolonia 1 me 0 dhe Besa – Korabi 0 me 0.