Ekipi ynë i futbollit “Burreli” do të luajë të dielën përballjen e tretë të këtij sezoni me ekipin e kategorisë së parë “Luzi Vogël 2008”. Kjo është hera e tretë që këto skuadra ndeshen me njëra – tjetrën në kampionatin futbollistik 2023 – 2024.

Në të dy përballjet e para kanë qenë kavajasit ata që kanë fituar, edhe në ndeshjen e luajtur në “Liri Ballabani” edhe në ndeshjen e transfertës.

Megjithëse Luzi Vogël është një ekip i cili ndodhet në vendin e parafundit të klasfikimit të përgjithshëm të 12 skuadrave të kategorisë së parë, sërish ka arritur t’i fitojë të dy përballjet me Burrelin. Megjithatë, matjanët synojnë që në këtë sfidë të tretë të dalin ata fitues pas rezultatit pozitiv të arritur në ndeshjen e fundit ndaj Bylysit.

Skuadra matjane ka marrë të gjitha udhëzimet e nevojshme për të mos nënvlerësuar aspak ekipin kundërshtar, përkundrazi për ta marrë shumë seriozisht edhe për shkak të historikut të përballjeve të fundit mes tyre.

Ndeshja Luzi Vogël 2008 – Burreli do të luhet në transfertë të dielën në orën 14:00, në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës.