Ekipi ynë i futbollit Burreli ka zhvilluar të dielën e 21 prillit ndeshjen e javës së 31 të këtij kampionati, ku u përball me ekipin e Kastriotit të Krujës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Redi Maloku” përfundoi me rezultatin 3 me 1 në favor të vendësve.

Krutanët kanë arritur të gjejnë rrjetën e portës matjane në minutën e 77 me Kapllanin, ndërsa 7 minuta më vonë kanë dyfishuar shifrat me Mehmetin. Në minutën e 85 djemtë e drejtuar nga tekniku Klevis Hima ngushtojnë rezultatin me Pedron. Por kjo nuk ka zgjatur shumë pasi në minutën e 90-të Kastroti shënon golin e tretë dhe të fundit, duke mbyllur gjithë lojën 3 me 0 në favorin e tyre.

Me këto tri pikë, Kastrioti është ngjitur automatikisht në vendin e 8, ndërsa mundja e Besës nga Lushnja e ka mbajtur Burrelin në vendin e 9, me pikë të barabarta me Besën e Kavajës.

Tashmë Burrelit i mbeten vetëm 3 ndeshje për të shpëtuar nga rënia në një kategori më poshtë, ku fillimisht do të presë Lushnjën në “Liri Ballabani” dhe një javë më vonë do të luajë në Peshkopi kundër Korabit, për ta mbyllur kampionatin me përballjen me Apoloninë e Fierit po në stadiumin “Liri Ballabani”. Mbetet për t’u parë strategjia që drejtuesit tenikë të skuadrës së Burrelit do të ndjekin për të qenë një strategji fituese, që sportdashësit matjanë të mos zhgënjehen.