Drejtësia e munguar mund të jetë bërë shkak për një tjetër vrasje në vend, atë të Lek Lekgjonajt, duke bërë kriminel në moshën 17-vjeçare Florian Pervathin. Kryetari i misionit të pajtimit të gjaqeve në Lezhë, Pjeter Gjoka ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi sot Lezhën, ku 17-vjeçari Florian Pervathi vrau 65-vjeçarin Lekgjonaj, vëllanë e vrasësit të babit të tij, duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje fenomenin e gjakmarrjes.

Gjoka vë theksin pikërisht te mungesa e drejtësisë, teksa thotë se autori që i mori jetën babait të 17-vjeçarit, Florian Vathi mori minimumin e dënimit, 10 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar, iu konvertuan në 7 vite. Sipas Gjokës, Florian Vathi ndodhet jashtë shtetit, ndërsa vëllai i tij ‘pagoi’ sot për të.

“Unë edhe në intervista e kam thënë shteti dhe ligji duhet ta marrë maksimalisht. Janë pjesë e të keqes që organet e drejtësisë deri tani kanë qenë pjesë e këtij fenomeni. Ai tjetri bën vrasjen dënohet katër pesë vjet dhe për një vit e sheh aty të lirë. Nga informacionet që kam unë ai ndodhet jashtë shtetit. Të paktën dënimin nga shpresojmë që këtë problem, problemet e ligjit për gjakmarrjen shteti i ka forcuar shumë. Nëse ndodh një vrasje për gjakmarrje dënohet minimalja 25 vjet. Por në këtë rast është tjetër logjikë juridike. Mund ta quajmë adoleshent. Ka përjetuar mungesën e prindërve për vite me radhë gjë që atij i ka mbetur në kujtesën e tij për t’u hakmarrë”, thotë Gjoka