Kryebashkiaku i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, u shkarkua nga Kryeministri Edi Rama për shkelje të rënda, pasi u arrestua nga SPAK për abuzim me tenderat publike, duke favorizuar kompanitë e të afërmve të tij.

Vendimi u marr sot nga Këshilli i Ministrave dhe, nëse i ankohet brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese, vendimi do të pezullohet deri sa të marrë një vendim Gjykata Kushtetuese. Lefter Alla dhe 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë, u arrestuan për abuzim me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro.

Në pranga ra edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi. Akuzohen se kanë favorizuar Aqif Koneshën, të afërmin e Lefter Allës, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri. Më 18 mars, GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Bulqizës dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar. Gjatë dëshmisë së tij, Alla i konsideroi akuzat si sulme politike kundër tij.