Gjykata e Tiranës ka dënuar me tre vite burg muzikantit Bojken Lako. Gjyqtari, Besnik Hoxha ka dhënë masën me tre vite burg për Lakon nën akuzën “Ndërtim të paligjshëm”, për qëllime fitimi.

Në fund, me aplikim të gjykimit të shkurtuar dhe të pezullimit të dënimit, këngëtari është dënuar me 3 vite shërbim prove.

Gjithashtu Lako është dënuar edhe me një gjobë prej 500 mijë lekësh (të vjetra) nga IKMT. Kujtojmë se një vit me parë këngëtari dhe kompozitori kishte marrë një godinë me qira për ta kthyer atë në një studio muzikore. Punimet në këtë godinë i kanë kushtuar shtrenjtë Lakos dhe tani do të duhet të përballet me ligjin.

Telefonata

Zanafilla e stërmullarit të problemeve me ligjin për 47-vjeçarin, nisi më 16 shkurt 2021. Siç shpjegohet në vendimin e gjykatës dhënë më 8 Shkurt të këtij viti: Në Komisariatin e Policisë Nr.2 është njoftuar me telefon nga një qytetar, se në rrugën “Shefqet Musaraj”, tek një ndërtesë 2-katëshe të pabanueshme, po kryheshin punime ndërtimore pa leje. Pas njoftimit, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjatë këqyrjes është konstatuar se kjo godinë ishte në bllokun e ish-magazinave tek ish-NISHARAK.

Boiken Lako ka deklaruar se punimet po kryheshin për llogari të tij në godinë, të cilën e ka marrë me qera duke dashur ta sistemojë me qëllim ta kthente në një studio muzikore. Ka shkuar tek Njësia Administrative Nr.7 dhe ka aplikuar më 21 Janar 2021. Pasi ka dalë leja, ka kontaktuar me një mikun e tij për të ndjekur punimet pasi ai vetë ishte i zënë.