Segmenti i rrugës nacionale Qaf Buall – Klos në fshatin Kloskatund vijon të jetë në gjendje të degraduar. Ndonëse është ndërhyrë disa herë për riparimin e tij, situata mbetet shqetësuese për drejtuesit e automjeteve. Këta të fundit shprehen se e kanë të vështirë të kalojnë në këtë segment rruge si pasojë e gungave të krijuara në asfalt që janë krijuar si rezultat i deformimit të karrexhatës. Siç duket nga pamjet, gungat dhe kanalet e krijuara në këtë pjesë rruge janë të shumta dhe pikërisht në pjesët ku është bërë riparimi i tyre të paktën tri herë. Drejtuesit e mjeteve fajësojnë kompaninë që ka ndërhyrë e cila sipas tyre nuk i ka bërë punimet cilësore por sa për të kaluar radhën. “Duke qenë se trafiku tashmë ëhstë zhvendosur në rrugën e Arbrit, rruga e vjetër mbetet jashtë vëmendjes së autoriteteve edhe pse janë dhënë qindra milion lekë për mirëmbajtje” – thanë ndër të tjera drejtuesit e automjeteve.
Aksi rrugor Klos – Qaf Buall përdoret më së shumti nga banorët e fshatrave të Klosit por edhe drejtues të tjerë mjetesh që lëvizin në drejtim të peshkopoisë. Ai është pjesë e segmentit Skuraj – Peshkopi dhe mirëmbahet nga kontrata B e rajonit qëndror e verilindor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.