Home Blog Page 6

Probleme në fshatin Fshat, Nje mjet del nga rruga dhe përplaset me mbrojtësen anësore

Reshjet e pandërprera të dëborës kanë sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve në rrugët nacionale.

Situatë e vështirë aktualisht është në rrugën që lidh Matin me rrugën e Arbrit në fshatin Fshat.

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, në Rrugën e Arbrit, ku një automjet ka rrëshkitur nga bora e është përplasur me murin rrethues të një banese.

Prania e tyre është kthyer në burim aksidentesh për shkak se ka automjete që vijnë nga rruga e Arbrit drejt Klosit. Asnjë mjet borëpastrues nuk shihet në aksin nacional, ndërsa reshjet vijojnë me intensitet të lartë

Reshjet e borës mbulojne gjithe Qarkun Dibër, probleme në rrugën e Arbrit.

Nga reshjet e borës në qarkun Dibër kanë nisur të shfaqen edhe problematika.

Aksi rrugor në të cilin kërkohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes është ai i rrugës së Arbrit.

Më problematike situata paraqitet në Bulqizë dhe Maqellarë ku ka prani të dëborës në asfalt.

Në orët e pasdites intensiteti i reshjeve është shtuar. Autoritetet apelojnë drejtuesit e mjeteve që të reduktojnë shpejtësinë e lëvizjes për të shmangur aksidentet e mundshme.

Situata mund të përkeqësohet gjatë orëve të mbrëmjes ku temperaturat do të zbresin disa gradë nën zero.

Futboll / Nesër, Burreli në përballje të vështirë ndaj Vorës

0

Java e 31 e kampionatit të kategorisë së partë në futboll e ka vendosur ekipit matjan “Burreli” përballë kryesueses së kësaj kategorie. Ekipi “Burreli” do të përballet të shtunën e 5 Prillit me ekipin e Vorës e cila vijon të qëndrojë në krye të 12 skuadrave që ka kategoria e parë. Vora vjen në këtë përballje me 23 fitore, katër barazime dhe vetëm tre humbje me një total prej 73 pikësh. Nga ana tjetër skuadra e Burrelit, edrejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj ka ardhur në rritje pasi ka patur rezultate pozitive në javët e fundit. Në 30 ndeshje të luajtura Burreli ka 14 fitore, 10 barazime e 6 humbje me një total prej 52 pikësh.

Matjanët vijojnë të kenë synim zonën play off për kategorinë superiore ndaj do të vazhdojnë me objektivin për rezultat pozitiv në çdo përballje.

Skuadra është përgatitur gjatë gjithë javës pas ndeshjes së mbyllur në barazim pa gola të dielën e kaluar në “Liri Ballabani” me Flamurtarin e Vlorës.

Djemtë e ekipit matjan kanë marrë udhëzimet e fundit nga stafi teknik këtë të premte ku ju është kërkuar që të mos bëjnë asnjë gabim në përballjen e së shtunës e cila do të luhet në transfertë në stadiumin “Vora”, në orën 15:00.

Mungesa e shitjes së prodhimeve në frutikulturë, fermeri detyrohet t’i presë pemët dhe të largohet nga Bulqiza

   Mungesa e tregut të sigurtë për shitjen e prodhimeve bujqësore ka bërë që shumë fermerë të heqin dorë nga fermat e krijuara me shumë mund e djerësë ndër vite nga ata. I tillë është edhe rasti i fermerit Pëllumb Turja, nga fshati Homesh i Bulqizës. Pëllumbi tregon se pas rikthimit nga emigracioni, u vendos në fshatin e tij ku ndërtoi fermë frutikulture duke kultivuar mollë e qershi. Por sipas fermerit Pëllumb Turja prodhimi i mbetej pa shitur çdo vit dhe detyrohej që ta hidhte në lum mollën e qershinë. Duke qenë se çdo vit dilte me humbje, fermeri Turja këtë vit vendosi që t’i presë të gjitha pemët që kishte mbjellë.

Një tjetër problem me të cilin është përballur Pëllumb Turja ka qenë edhe ai i azhornimit të tokës bujqësore. Sipas tij mënyra e përdorur për të ndarë ngastrat e tokës nëpërmjet satelitit është e gabuar dhe se nuk ka asnjë lidhje me kufijt që janë realisht të ndarë brez pas brezi.

Pëllumb Turja shprehet se shteti duhet të bëjë më shumë për fermerët që t’ju mundësojë atyre tregun e shitjes apo të ndërtojë dhoma frigoriferike për të ruajtur prodhimin, në të kundërt të gjithë një ditë do të heqin dorë nga frutikultura.

Plagoset minatori në Bulqizë, një 62-vjeçare në Dibër gjendet e pajetë

Një minator është plagosur në galeritë e kromit të minierës Albchrome të Bulqizës që administrohet nga kompania turke “Yildirim Holding”. Mësohet se 36-vjeçari Shkëlzen Disha ka qenë duke punuar në thellësi të minierës teksa është dëmtuar në krah.

36-vjeçari u zhvendos më pas në spitalin e Bulqizës ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia njoftoi këtë të premte pë këtë ngjarje se Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë,  referuan materialet në Prokurori për “ngjarje aksidentale”, pasi shtetasi Shkëlzen Disha, 36-vjeç, gjatë punës në një subjekt minerar, aksidentalisht ka dëmtuar lehtë dorën.

Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në Dibër paraditen e së premtes, teksa policia njoftoi në një deklaratë për mediat se në orët e para të mëngjesit, në fshatin Mustafe, është gjetur e pajetë në oborrin e banesës së saj, shtetasja F.M.,  62 vjeçe, e cila dyshohet se është vetëvarur.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vërteta të kësaj ngjarje të rëndë.

Shkopeti, një perlë natyrore që kërkon vëmendje

0

Lugina e Shkopetit mbetet një ndër perlat natyrore të vendit tonë. Me liqenin që e ndan përmes dhe bimësinë e dendur në të dy anët dhe rrugën automobilistike, është ndër luginat më të veçanta.

Kjo luginë e mori këtë pamje pas ndërtimit të hidrocentralit të Shkopetit, pasi më parë ishte vetëm rrjedha e lumit Mat që zbret e derdhet në detin Adriatik.

Stina e pranverës është ajo më magjepsja në luginë pasi gjelbërimit i shtohen lule me ngjyra të ndryshme, duke e bërë pamjen mahnitëse. Por ndonëse pak vite më parë nëpër këtë luginë kalonte i gjithë Qarku Dibër, sot rruga që përshkon atë është thuajse pa asnjë lëvizje. Kjo për shkak se i gjithë trafiku i makinave është zhvendosur në rrugën e Arbrit. Megjithatë, pritet që në periudhën në vazhdim të shtohet fluksi i atyre që vizitojnë luginën e Shkopetit, kjo falë edhe promovimit të saj që i është bërë në media dhe rrjetet sociale.

Një ndër zonat më të vizituara mbetet ura tip pasarel që lidh fshatin Madhesh me rrugën nacionale. Por së fundmi kësaj perle natyrore po i shtohet edhe një atraksion tjetër që pritet të tërheqë interesin e vizitorëve. Bëhet fjalë për ballkonin që po ndërtohet për të gjithë ata që duan të fiksojnë me aparatet e tyre, veten dhe të tjerë që e shoqërojnë, në peisazhin e kësaj bukurie natyrore.

Ajo që vijon t’i mungojë kësaj lugine janë subjektet akomoduese apo biznese që ofrojnë shërbime gastronomike, në mënyrë që vizitorët e luginës piktoreske të Shkopetit të mund ta shijojnë në komoditet të plotë këtë bukuri të rrallë natyrore.

Asfaltohet segmenti i dëmtuar i rrugës që lidh Matin me Rrugën e Arbrit

  Pasi problemi u bë mediatik, është ndërhyrë në segmentin e dëmtuar të rrugës që lidh Matin me rrugën e Arbrit, në vendin e quajtur “Ura e Fshatit”. Segmenti në fjalë, jo më shumë se 10 metër katror, ishte dëmtuar 18 muaj më parë dhe asnjë masë nuk ishte marrë për ta riasfaltuar. Pasi drejtuesit e mjeteve e ngritën këtë shqetësim në media, autoritetet janë kujtuar pas 1 viti e gjysmë për të ndërhyrë.

Drejtuesit e automjeteve falenderojnë median e cila bëri të mundur që zëri i tyre të dëgjohej dhe përgjegjësit për rrugën të ndërhynin dhe të riasfaltonin këtë pjesë të dëmtuar të rrugës. Nga ana tjetër drejtuesit e mjeteve shprehen se autoritetet duhet të bëjnë punën e tyre dhe të mos presin që problemet të bëhen mediatike e atëherë të kujtohen për përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve.

  Kjo pjesë rruge me një sipërfaqe prej 10 metër katrorë në hyrje të rrugës lidhëse me rrugën e Arbrit, tek Ura e fshatit Fshat, ishte dëmtuar nga shirat e rrëmbyeshëm të fundit të vitit 2023, por që prej nëntorit të atij viti nuk ishte ndërhyrë për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme.

Në spitalet e Qarkut Dibër mungon mjeku i ekspertizës ligjore

  Veç mungesës së mjekëve specialistë, një tjetër problem që po përballen spitalet e Qarkut të Dibrës është edhe eksperti mjekoligjor që është i domosdoshëm kur qytetarët nuk ndërrojnë jetë natyralisht por për shkaqe të tjera, që duhen vërtetuar nga mjekësia ligjore.

Prej të paktën tre vitesh në spitalet bashkiake por edhe atë rajonal të Dibrës nuk ka mjek për të bërë ekspertizën mjekoligjore të personave që humbin jetën në rrethana të ndryshme.

Aktualisht të gjitha viktimat e aksidenteve apo për shkaqe të tjera dërgohen për eskpertizë mjekoligjore në Tiranë. Kjo bën që familjet e viktimave, përveç fatkeqësisë që kanë, t’ju shtohet edhe një kalvar tjetër vuajtjesh duke pritur shumë kohë për të marrë trupin e pajetë të të afërmit të tyre.

Në shumë raste familjet janë përballur me vonesa dhe për këtë është kërkuar që situata të zgjidhet dhe spitalet t’i rikthehen normalitetit, që të paktën të kenë secili prej tyre, mjek eksperto-ligjor.

Ndërkohë, ky shqetësim është ngritur edhe nga Prokuroria e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër dhe institucione të tjera të cilat kanë të bëjnë direkt me ekspertizën mjekoligjore kur është e nevojshme të kryhet për personat që ndërrojnë jetë në rrethana jo natyrale.

Rritet niveli i ujit, shpresë për shtimin natyral të peshkut në Liqenin e Ulzës

0

  Shirat e rëna javën e fundit kanë shtuar ndjeshëm nivelin e ujit në basenin e liqenit të Ulzës. Niveli i ujit ka arritur deri në fshatin Urakë, ndonëse ende nuk ka kapur pikën maksimale të tij.

Ndërkohë, kompania që ka privatizuar hidrocentralin e Ulzës, KURUM, ka ndaluar prodhimin e energjisë elektrike me kapacitet të plotë e kjo ka bërë që baseni i liqenit të arrijë afër kuotës maksimale.

Për specialistët e peshkimit, kjo është gjë e mirë nëse kompania do të vijojë të mbajë këtë kuotë i jep mundësinë e shtimit natyral kryesisht peshkut krap i cili ndodhet me shumicë në liqenin e Ulzës. Duke qenë se ky lloj peshku i lëshon vezët në barishte apo bimësi tjetër, është e domosdoshme që niveli i ujit të jetë deri në Urakë për shkak të bimësisë që ka zona.

Kjo i jep mundësinë ekonomisë nënujore që të shtohet edhe natyralisht, e jo vetëm nga hedhja e rasatit e cila u bë nga autoritetet pak javë më parë.

Rënia e nivelit të ujit në liqenit të Ulzës erdhi si rezultat i punës me kapacitet të plotë të hidrocentralit pasi çmimi në bursë i energjisë ishte i lartë dhe kompania KURUM, dyshohet se shfrytëzoi momentin.

Maqedonia e Veriut ul vlerën e policës së sigurimit për automjetet

Një lajm i mirë ka ardhur për të gjithë banorët e Dibrës dhe Bulqizës të cilët udhëtojnë shpesh në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Duke filluar nga 1 Prilli 2025, qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton jeshil” me vlefshmëri njëvjeçare, e cila do të kushtojë 50 euro, një çmim i reduktuar krahasuar me tarifat e mëparshme.

Kjo masë vjen pas vendimit të ngjashëm për Malin e Zi, ku më 1 Shkurt 2025 hyri në fuqi polica njëvjeçare e “Kartonit jeshil”, duke zëvendësuar opsionin dyjavor prej 15 eurosh. Me ndryshimin e bërë, shoferët me targa shqiptare nuk do të kenë më nevojë të rinovojnë sigurimin çdo dy javë për udhëtimet në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vendimi është rezultat i bashkëpunimit me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS) dhe synon të lehtësojë qarkullimin ndërkufitar, duke ulur kostot për qytetarët dhe duke nxitur shkëmbimet ekonomike me vendet fqinje.

Ky lehtësim pritet të ketë ndikim pozitiv për bizneset dhe banorët e zonave kufitare, të cilët lëvizin shpesh drejt Maqedonisë së Veriut.