Rritet niveli i ujit, shpresë për shtimin natyral të peshkut në Liqenin e Ulzës

0
133

  Shirat e rëna javën e fundit kanë shtuar ndjeshëm nivelin e ujit në basenin e liqenit të Ulzës. Niveli i ujit ka arritur deri në fshatin Urakë, ndonëse ende nuk ka kapur pikën maksimale të tij.

Ndërkohë, kompania që ka privatizuar hidrocentralin e Ulzës, KURUM, ka ndaluar prodhimin e energjisë elektrike me kapacitet të plotë e kjo ka bërë që baseni i liqenit të arrijë afër kuotës maksimale.

Për specialistët e peshkimit, kjo është gjë e mirë nëse kompania do të vijojë të mbajë këtë kuotë i jep mundësinë e shtimit natyral kryesisht peshkut krap i cili ndodhet me shumicë në liqenin e Ulzës. Duke qenë se ky lloj peshku i lëshon vezët në barishte apo bimësi tjetër, është e domosdoshme që niveli i ujit të jetë deri në Urakë për shkak të bimësisë që ka zona.

Kjo i jep mundësinë ekonomisë nënujore që të shtohet edhe natyralisht, e jo vetëm nga hedhja e rasatit e cila u bë nga autoritetet pak javë më parë.

Rënia e nivelit të ujit në liqenit të Ulzës erdhi si rezultat i punës me kapacitet të plotë të hidrocentralit pasi çmimi në bursë i energjisë ishte i lartë dhe kompania KURUM, dyshohet se shfrytëzoi momentin.