Pasi problemi u bë mediatik, është ndërhyrë në segmentin e dëmtuar të rrugës që lidh Matin me rrugën e Arbrit, në vendin e quajtur “Ura e Fshatit”. Segmenti në fjalë, jo më shumë se 10 metër katror, ishte dëmtuar 18 muaj më parë dhe asnjë masë nuk ishte marrë për ta riasfaltuar. Pasi drejtuesit e mjeteve e ngritën këtë shqetësim në media, autoritetet janë kujtuar pas 1 viti e gjysmë për të ndërhyrë.
Drejtuesit e automjeteve falenderojnë median e cila bëri të mundur që zëri i tyre të dëgjohej dhe përgjegjësit për rrugën të ndërhynin dhe të riasfaltonin këtë pjesë të dëmtuar të rrugës. Nga ana tjetër drejtuesit e mjeteve shprehen se autoritetet duhet të bëjnë punën e tyre dhe të mos presin që problemet të bëhen mediatike e atëherë të kujtohen për përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve.
Kjo pjesë rruge me një sipërfaqe prej 10 metër katrorë në hyrje të rrugës lidhëse me rrugën e Arbrit, tek Ura e fshatit Fshat, ishte dëmtuar nga shirat e rrëmbyeshëm të fundit të vitit 2023, por që prej nëntorit të atij viti nuk ishte ndërhyrë për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme.