Maqedonia e Veriut ul vlerën e policës së sigurimit për automjetet

0
146

Një lajm i mirë ka ardhur për të gjithë banorët e Dibrës dhe Bulqizës të cilët udhëtojnë shpesh në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Duke filluar nga 1 Prilli 2025, qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton jeshil” me vlefshmëri njëvjeçare, e cila do të kushtojë 50 euro, një çmim i reduktuar krahasuar me tarifat e mëparshme.

Kjo masë vjen pas vendimit të ngjashëm për Malin e Zi, ku më 1 Shkurt 2025 hyri në fuqi polica njëvjeçare e “Kartonit jeshil”, duke zëvendësuar opsionin dyjavor prej 15 eurosh. Me ndryshimin e bërë, shoferët me targa shqiptare nuk do të kenë më nevojë të rinovojnë sigurimin çdo dy javë për udhëtimet në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vendimi është rezultat i bashkëpunimit me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS) dhe synon të lehtësojë qarkullimin ndërkufitar, duke ulur kostot për qytetarët dhe duke nxitur shkëmbimet ekonomike me vendet fqinje.

Ky lehtësim pritet të ketë ndikim pozitiv për bizneset dhe banorët e zonave kufitare, të cilët lëvizin shpesh drejt Maqedonisë së Veriut.