Vijon zjarri në Dejë Macukull, flakët përhapen nga era e fortë
Vatra e zjarrit e aktivizuar që të hënën në zonën e njohur si “Linos i Madh” në fshatin Dejë-Macukull, vijon të jetë aktiv. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të bimësisë së thatë dhe erës së fortë duke përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme. Zjarri duket se fillimisht ka nisur në një pjesë me ahishte e më pas është përhapur me shpejtësi në disa drejtime duke bërë që të jetë e vështirë izolimi i flakëve. Në terren kanë shkuar forcat e Shërbimit Pyjor dhe të Mbrojtjes Civile të Bashkisë së Matit për të bërë të mundur pengimin e përhapjes së flakëve në zonën më të pyllëzuar. Gjithashtu mësohet se fillimisht flakët kanë nisur në vendin e quajtur “Shkalla e Liqeneve”, ndërsa puna në terren po vijon për të minimizuar dëmet që shkaktohen nga zjarri. Sa i përket zjarrit të aktivizuar në fshatin Mallunxë, po të Bashkisë së Matit, një ditë më parë, mësohet se pas ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës, shërbimit pyjor dhe mbrojtjes civile është vënë në kontroll të plotë, teksa po monitorohet në mënyrë që të mos riaktivizohet më.