Nis ndërhyrja për 5 fshatra të Zerqanit dhe Gjoricës në Bulqizë
Bashkia Bulqizë ka nisur ndërhyrjen për përmirësimin e infrastrukturës rrugore të 5 fshatrave që përfshijnë Njësitë Administrative Zerqan dhe Gjoricë. Rruga ka një gjatësi prej 15 kilometrash dhe ishte kthyer në një problem shqetësues për banorët që jetojnë në këto fshatra. Aktualisht ndërhyrja po bëhet me mbushje me zhavorr, i cili ngjeshet me mjete të rënda rrul dhe hapen kanalet kulluese anësore. Administratori i Njësisë Administrative Zerqan, Mariglen Imeri, tha se me këtë ndërhyrje do të përmirësohet infrastruktura rrugore për qarkullimin e mjeteve të fshatrave të Zerqanit por edhe një pjese të Gjoricës. Sipas administratorit Imeri kjo është një ndërhyrje provizore pasi do të shihet mundësia për ta asfaltuar si shumë rrugë të fshatrave të tjerë të Bashkisë Bulqizë që janë asfaltuar deri tani. Rehabilitimi i kësaj rruge pritet të mbyllet shumë shpejt pa nisur ende problemet që shkaktohen nga reshjet e shirave të vjeshtës dhe dimrit.