Mungesa e shitjes së prodhimeve në frutikulturë, fermeri detyrohet t’i presë pemët dhe të largohet nga Bulqiza

0
114

   Mungesa e tregut të sigurtë për shitjen e prodhimeve bujqësore ka bërë që shumë fermerë të heqin dorë nga fermat e krijuara me shumë mund e djerësë ndër vite nga ata. I tillë është edhe rasti i fermerit Pëllumb Turja, nga fshati Homesh i Bulqizës. Pëllumbi tregon se pas rikthimit nga emigracioni, u vendos në fshatin e tij ku ndërtoi fermë frutikulture duke kultivuar mollë e qershi. Por sipas fermerit Pëllumb Turja prodhimi i mbetej pa shitur çdo vit dhe detyrohej që ta hidhte në lum mollën e qershinë. Duke qenë se çdo vit dilte me humbje, fermeri Turja këtë vit vendosi që t’i presë të gjitha pemët që kishte mbjellë.

Një tjetër problem me të cilin është përballur Pëllumb Turja ka qenë edhe ai i azhornimit të tokës bujqësore. Sipas tij mënyra e përdorur për të ndarë ngastrat e tokës nëpërmjet satelitit është e gabuar dhe se nuk ka asnjë lidhje me kufijt që janë realisht të ndarë brez pas brezi.

Pëllumb Turja shprehet se shteti duhet të bëjë më shumë për fermerët që t’ju mundësojë atyre tregun e shitjes apo të ndërtojë dhoma frigoriferike për të ruajtur prodhimin, në të kundërt të gjithë një ditë do të heqin dorë nga frutikultura.