Përfundon investimi tek Çerdhja numër 1 të qytetit të Burrelit
Ka përfunduar investimi për rikonstruksionin total të godinës së çerdhes numër 1 të qytetit të Burrelit që ndodhet në lagjen “Drita”. Fëmijët që frekuentojnë këtë çerdhe janë akomoduar tashmë me kushte tërësisht të reja. Për të parë nga afër përfundimin e këtij investimi ishte kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni, i cili tha se tashmë jo vetëm për fëmijët por edhe stafin e kësaj çerdhe, kushtet janë bashkëkohore dhe puna e tyre do të jetë më e lehtë. Sipas Bojnit investimet në arsim do të jenë prioritare edhe për periudhën në vazhdim jo vetëm në qytetin e Burrelit por në të gjithë territorin e Bashkisë së Matit. Ndërkaq, punimet kanë nisur edhe në kopshtin numër tre i cili do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Deri në përfundimin e punimeve fëmijët e këtij kopshti janë akomoduar pranë godinës së çerdhes numër 1.