Java e 31 e kampionatit të kategorisë së partë në futboll e ka vendosur ekipit matjan “Burreli” përballë kryesueses së kësaj kategorie. Ekipi “Burreli” do të përballet të shtunën e 5 Prillit me ekipin e Vorës e cila vijon të qëndrojë në krye të 12 skuadrave që ka kategoria e parë. Vora vjen në këtë përballje me 23 fitore, katër barazime dhe vetëm tre humbje me një total prej 73 pikësh. Nga ana tjetër skuadra e Burrelit, edrejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj ka ardhur në rritje pasi ka patur rezultate pozitive në javët e fundit. Në 30 ndeshje të luajtura Burreli ka 14 fitore, 10 barazime e 6 humbje me një total prej 52 pikësh.
Matjanët vijojnë të kenë synim zonën play off për kategorinë superiore ndaj do të vazhdojnë me objektivin për rezultat pozitiv në çdo përballje.
Skuadra është përgatitur gjatë gjithë javës pas ndeshjes së mbyllur në barazim pa gola të dielën e kaluar në “Liri Ballabani” me Flamurtarin e Vlorës.
Djemtë e ekipit matjan kanë marrë udhëzimet e fundit nga stafi teknik këtë të premte ku ju është kërkuar që të mos bëjnë asnjë gabim në përballjen e së shtunës e cila do të luhet në transfertë në stadiumin “Vora”, në orën 15:00.