Një minator është plagosur në galeritë e kromit të minierës Albchrome të Bulqizës që administrohet nga kompania turke “Yildirim Holding”. Mësohet se 36-vjeçari Shkëlzen Disha ka qenë duke punuar në thellësi të minierës teksa është dëmtuar në krah.
36-vjeçari u zhvendos më pas në spitalin e Bulqizës ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia njoftoi këtë të premte pë këtë ngjarje se Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, referuan materialet në Prokurori për “ngjarje aksidentale”, pasi shtetasi Shkëlzen Disha, 36-vjeç, gjatë punës në një subjekt minerar, aksidentalisht ka dëmtuar lehtë dorën.
Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në Dibër paraditen e së premtes, teksa policia njoftoi në një deklaratë për mediat se në orët e para të mëngjesit, në fshatin Mustafe, është gjetur e pajetë në oborrin e banesës së saj, shtetasja F.M., 62 vjeçe, e cila dyshohet se është vetëvarur.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vërteta të kësaj ngjarje të rëndë.