Kompania “Gjoka Konstruksion”, e kontraktuar për ndërtimin e  Urës së Vashës në Rrugën e Arbrit, reagoi sot pas publikimit të disa pamjeve nga ish-kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit “Ura e Vashës po ndërtohet pa standarde”.

Në një reagim zyrtar, kompania sqaron se pamjet e publikuara nga Berisha nuk i përkasin kësaj ure, ndërsa ndan edhe një video, planet e së cilës janë marrë në të njëjtën ditë me postimin e ish-kryeministrit, 7 gusht 2020.

“Duke marrë shkas nga përcjellja në disa media e pamjeve video me material spekulues nga territori i projektit të Rrugës së Arbërit, vepra Ura e Vashës, objekt në ndërtim, ku për realizimin e saj është kontraktuar kompania Gjoka, pamje të cilat shoqërohen me tekst që denonconte cilësinë e punimeve dhe ngrinte dyshime mbi standardin e realizimit të veprës, në respekt të së vërtetës dhe të drejtës së informimit të opinionit publik Shoqëria Koncesionare ndjen detyrimin të prononcohet. Këto sulme apo akuza përbaltëse që hasen rëndom, në mënyrë anonime për shumëçka në mediat sociale dhe si aspak profesionale nuk meritojnë vëmendje, për më tepër pasi është lehtësisht e verifikueshme pavërtetësia e plotë e tyre nga kushdo që nuk pranon të gënjehet. Mirëpo kur zëdhënës i videos dhe shpërndarës i saj është Sali Berisha, kjo i jep tjetër trajtë materialit, pasi opinioni i gjerë priret të besojë, duke ditur që ai është një ish-kryeministër dhe si i tillë i njeh shumë mirë procedurat koncensionare, detyrimet kontraktuale, auditimin dhe çertifikimin e një vepre publike që nga nisja e punimeve deri në dorëzimin e saj”, thuhet në reagimin e kompanisë.

“Muri që shfaqet në pamjet e Berishës nuk bën pjesë në strukturat mbajtëse të Urës së Vashës, as edhe të trupit të rrugës para kësaj ure. Përfundimi i fazës së hapjes së tunelit T5, që ndodhet para Urës së Vashës, kërkoi ndërtimin e këtij muri si strukturë të përkohshme betoni për krijimin e një sheshi “sheshi i lancimit-territor provizor” në dalje të tunelit. Njëkohësisht ky mur i përkohshëm shërbeu dhe për mbrojtjen e jetës së punëtorëve nga rënia e gurëve dhe dherave të shesheve ku u ndërtuan 3 bazamente të urës. Çarja që tregohet është e krijuar nga masivët e shkëputur nga faqja e malit, zonë e cila është krejtësisht e shmangur nga aksi i rrugës dhe urës”, thuhet në reagim.

Kompania jep në mënyrë të detajuar parametrat e veprës si dhe hedh poshtë çdo spekullim mbi këtë çështje duke garantuar përfundimin e veprës në afat dhe në përputhje me të gjitha detyrimet kontraktuale dhe të standardeve më të mira të sigurisë.

Kompania sqaron opinionin publik mbi ecurinë dhe sigurinë e punimeve në një aks me kaq rëndësi dhe kaq shumë të pritur nga banorët e zonës.

“Duhet theksuar se aksesimi i shesheve të ndërtimit të Urës së Vashës nga ana e Tiranës ku është muri i përkohshëm, u bë i mundur vetëm pas hapjes së tunelit T5. Vetë bazamentet e urës janë realizuar si struktura rigjide beton-arme mbi pilota të futura rreth 30m në shkëmb të çimentuar. Për ndërtimin e tyre janë realizuar 8500 m3 betone të armuara të Klasit 30/37 Mpa, 1000 ton hekur betoni, 1435 ml pilota b/arme dhe 2000 ton çimentime të shkëmbit të themeleve. Këto bazamente kanë një aftësi mbajtëse dhe qëndrueshmëri në përputhje me Eurokod-in”, thuhet në sqarimin e kompanisë.

Gjithashtu, kompania fton çdo të interesuar, institucion, media apo përfaqësues të politikës, që të kontaktojë për çdo informacion në lidhje me Rrugën e Arbrit, një vepër që është e të gjithë shqiptarëve