Silva Doçi, studentja shqiptare e cila kishte mbetur e izoluar në Wuhan, qytetin kinez epiqendër të përhapjes së koronavirusit, është evakuuar prej atje. 

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se në bashkëpunim me ambasadat shqiptare në Pekin dhe Ankara, është bërë i mundur largimi i Doçit, e cila mbeti e izoluar brenda ambienteve të kampusit universitar në këtë qytet, pas masave të marra për izolimin e tij në 23 janar 2020.

Ministria e Jashtme sqaroi se i ka paraqitur kërkesën zyrtare Turqisë për të përfshirë edhe studenten shqiptare në operacionin e largimit të ndërmarrë për shtetasit turq që jetonin në Wuhan.

“Në vijim të komunikimeve, pala turke u dakordësua që studentja Silva Doçi të udhëtojë në avionin ambulant turk. Pas përfundimit të procedurave zyrtare me autoritetet kineze për lejimin e largimit të tyre nga Wuhan, avioni nga Kina u nis sot drejt aeroportit ushtarak në Ankara”, thotë Ministria e Jashtme.

Sipas saj, Doçi ka kryer të gjitha testet dhe ka dalë negative për virusin nCOV, por udhëtimi i gjatë në një avion me mbi 45 persona të tjerë të evakuuar nga Wuhan, e bën të detyrueshëm qëndrimin e saj në karantinë. “Çdo shtetas që del nga provinca Wuhan, është i detyruar t`i nënshtrohet një regjimi mjekësor karantine 14 ditor para se të lëvizë lirshëm”.