Të hënë e 29 Janarit ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare studiuesi i historisë dhe kulturës matjane, veprimtari shoqëror, mësuesi, shkrimtari dhe artisti, “Qytetar Nderi” i Burrelit, Ferit Këputa.

Ferit Këputa lindi më 24 shtator 1935 në fshatin Laç të rrethit të Matit, duke qenë pjesë e një familjeje me tradita nacionaliste. Me një përkushtim të pashembullt për arsimimin dhe trshëgiminë kulturore të Matit, ai shërbeu si mësues në shkollën e Bruçit dhe më pas në Batër, duke lënë gjurmë të thella në zhvillimin e arsimit dhe kulturës në këtë zonë.

Në vitin 1954, Ferit Këputa ngriti grupin e parë të valleve për vajza në Mat, duke pasur një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e traditave kulturore të krahinës.

Më 1955 dërgohet mësues në Rrethe Baz, ku gjatë kësaj kohe u vu në ndihmë të arkeologëve në zbulimin e vlerave historike të kësaj zone.

Në vitin 1965, ai përfundoi studimet e tij në degën gjuhë-letërsi në Institutin “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë. Në vitin 1967, kur ishte mësues në fshatrat e Martaneshit, fillon studimet pa shkëputje nga puna, në fakultetin e Histori Filologjisë dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Në vitin 1978 përmbyll shtegëtimet nëpër shkollat e fshatrave të Matit dhe emërohet përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës në Bruç, ku punoi me pasion si studiues, krijues, dhe organizator i aktiviteteve kulturore. Në këtë periudhë, ai themeloi Ansamblin Folklorik “Laç-Bruçi” dhe kontriboi në shfaqje të shumta kulturore në të gjithë krahinën duke u prezantuar me një sërë këngësh të krijuara nga ai nëpër skena festivalesh kombëtare.

Me daljen në pension në vitin 1992, Ferit Këputa vazhdoi angazhimin e tij në botimin e materialeve historike dhe kulturore. Në vitin 1994, lë fshatin e lindjes dhe vendoset në qytetin e Burrelit, ku intensifikon studimet e tij rreth fakteve dhe ngjarjeve të pathëna historike, duke botuar njëri pas tjetrit një varg librash studimorë, monografi e studime historike-kulturore. Si studiues dhe njohës i mirë i historisë së krahinës së Matit mori pjesë në një sërë emisionesh televizive, ku trajtoheshin debate historike dhe flitej për figura të shquara.

Me themelimin e Shoqatës Atdhetare “Ahmet Zogu” në vitin 1998, Ferit Këputa u angazhua në popullarizimin e veprave të Mbretit “Zog I” dhe të figurave tjera historike, duke dhënë një kontribut të çmuar në emërtimin e sheshit dhe vendosjen e monumentit të Mbretit Zog në qytetin e Burrelit dhe në Tiranë.

Kudo ku ka punuar dhe jetuar, Ferit Këputa ka lënë gjurmë. Për këtë ai është vlerësuar me “Mirënjohje” nga komuna Martanesh, me Çmimin “Penda Budi” nga revista “Emathia”, si dhe nga Bashkia Burrel me titullin “Qytetar Nderi” “Për kontributin e dhënë në krijimin dhe promovimin e vlerave etnokulturore, si dhe për botimin e shumë librave mbi historinë e Matit dhe matjanëve, në të gjitha fushat”.

Ferit Këputa do të kujtohet gjithmonë si një intelektual i shquar, një dëshmitar i pasionuar i historisë së Matit, dhe një frymëzues i brezave të rinj për ruajtjen e trashëgimisë historike-kulturore. Jeta dhe veprat e tij mbeten një pasuri e pashuar për komunitetin dhe historinë e Matit.

Lamtumirë, Ferit Këputa, “Qytetar Nderi” i Matit!