Ditën e enjte, në orën 15.10 minuta, në urën hyrëse të qytetit të Klosit, ndodhi një aksident me pasojë lëndimin e dy personave të moshës 22 dhe 14 vjeç, nga një automjet i cili po transportonte hekur. Për fat të mirë, dy të lënduarit, pasi morën shërbimin mjekësor janë jashtë rrezikut për jetën, por aksidenti ka shkaktuar indinjatë te qytetarët klosjanë për rrezikun që u kanoset në urën pa standarte, që me gjithë kërkesat e bëra, vijon të mbetet ende pa trotuar për këmbësorët.
Qytetarët e intervistuar e quajtën “minë me sahat” urën hyrëse të qytetit të Klosit, ku çdo ditë rrezikon jetën e mbi 1 mijë fëmijëve që nga arsimi parashkollor, ato të sistemit 9-vjeçar e gjimnazistë. Ndërsa fluksi i atomjeteve që kalojnë mbi të është i shtuar dhe i gjithëllojshëm. Në këto kushte qytetarët klosjanë kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për rehabilitimin sipas të Urës së Klosit, në të kundërt kërcënojnë me protestë për bllokimin e kësaj ure.

Një ditë pas ndodhjes së aksidentit në urën hyrëse të qytetit të Klosit, u vunë re patrulla të shtuara të punonjësve të rendit pranë kësaj ure, por asnjë masë tjetër konkrete nga ana e institucioneve për krijimin e koridori provizor për kalimin e këmbësorëve mbi këtë urë.