Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në vijim të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat në njësinë Administrative Muhurr, është proceduar penalisht shtetasi A.B., 41 vjeç, që u kap në flagrancë duke transportuar me automjet tip “kamion”, lëndë drusore, pa dokumentacionin përkatës.    

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin A.B., për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme. 

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.

Muajt e fundit janë realizuar kontrolle të shtuara nga policia e Dibrës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.