Në kuadër të Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, Shoqata Kombëtare në Mbështetje të Grupeve Vulnerabël në bashkëpunim me Bashkinë Mat, zhvilluan këtë të hënë një aktivitet në mjediset e Pallatit të Kulturës, Burrel. Aktiviteti festiv pati si qëllim sensibilizimin e të gjithë aktorëve e faktorëve të shoqërisë në mbështetje të fëmijëve jetim në vendin tonë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Grupeve Vulnerabël, Adriatik Gega, Nënkryetari i Bashkisë Mat, Myslym Zeneli, Deputetja e Qarkut Dibër, Aurora Mara, Nënprefekti i Matit, Hasan Pasha etj.

  Në këtë aktivitet performuan fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Ymer Neli” Mat, “Art Besëlidhja” Lezhë dhe artisti Xhavit Limani me monologun për Gjergj Kastrioti Skënderbeun.

Ndërkohë, Shoqata zgjodhi edhe drejtuesin e saj për Matin, e cila në vazhdim do të jetë Mimoza Kurti.

Në fund të aktivitetit u ndanë pako me dhurata për fëmijët jetimë në Bashkinë e Matit.