Për të gjithë fermerët që duan të kultivojnë grurë, këtë vit nuk ka mbështetje financiare nga Ministria e Bujqësisë. Burime pranë Drejtorisë së Ekstensionit Bujqësor thanë për Mat Televizion se deri tani nuk është hapur asnjë thirrje nga ministria e linjës për të mbështetur fermerët të cilët duan të kultivojnë në tokën e tyre bujqësore grurë.

Ndryshe nga dy vitet e kaluara, kur fermerët që kultivuan grurë në një sipërfaqe prej 1 hektar e lart, morën 30 mijë lekë të rinj subvencion nga shteti, këtë vit nuk do të jetë kështu.

Duke qenë se ka nisur sezoni i mbjelljes së grurit, fermerët poi  bëjnë tashmë llogaritë nga xhepi i tyre pasi nga ministria e Bujqësisë, nuk do të marrin mbështetje financiare.

Sipas ekspertëve të bujqësisë, mungesa e kësaj mbështetjeje, pritet të ulë ndjeshëm sipërfaqen e kultivuar me kulturën e grurit në këtë sezon.

Vitin e kaluar, vetëm në Mat, mbi 65 fermerë arritën të përfitonin nga kjo skemë mbështetëse pasi kultivuan grurë në sipërfaqe mbi 1 hektar. Skema mbështetëse përfshinte edhe fermerët që e kishin marrë tokën bujqësore me qera nga të tjerë, por që shoqërohej me çertifikatë pronësie.