Në kuadër të 101 vjetorit të Burrelit si Njësi Administrative, bashkia e Matit vijoi traditën e nisur nga viti i kaluar me aktivitete festive e promovuese të prodhimeve agro ushqimore të zonës.

Në orët e paradites të së dielës së 7 majit në qytetin e Burrelit u zhvillua panairi Agro – Ushqimor. Në këtë panir që u vendos në sheshin “Kastriotët” dhe Parkun Geraldinë u paraqitën produkte të ndryshme agro-ushqimore, nga fermer, artizanë e po ashtu u përfaqësuan me pavionet e tyre të gjitha shkollat në rang Zyre Vendore Arsimore Mat si dhe Qendra e Formimit Profesional Mat.

View Post

Panairi u vizitua nga qindra qytetarë të cilët jo vetëm u njohën me produktet e ekspozuara, por edhe blenë nga produktet që kishin paraqitur pjesmarrësit. Po ashtu, ky panair shërbeu edhe si një moment takimi mes dy kandidatëve në zgjedhjet lokale të së dielës. Kryebashkiaku aktual dhe kandidat për një mandat të dytë nga Partia Socialiste, Agron Malaj dhe kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Skënder Gjuci u takuan gjatë vizitës në panair, duke shtrënguar duart dhe duke treguar një akt qytetarie në këtë garë politike për qeverisjen vendore.

Gjatë mbrëmjes së të dielës festa në kuadër të 101 vjetorit të Burrelit si Njësi Administrative, vijoi në sheshin “Ahmet Zogu” ku u mbajt një koncert muzikor me pjesmarrjen e grupit muzikor legjendar “Fisnikët”. Qindra qytetarë të pranishëm shijuan muzikën e këtij grupi për më shumë se dy orë me radhë.

Në vitin 1922 Burreli do të bëhej Njësi Administrative e Nënprefekturës Mat, duke marrë statusin Bashki dhe që nga 7 Maji i po këtij viti Burreli vijon të jetë qendër e krahinës së Matit.

Dritan Kurti