Qeveria holandeze do t’i kërkojë BE-së zyrtarisht vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. Me një bazë të gjerë konsensusi, anëtarët e “Tweede Kamer”, dhomës më të rëndësishme në parlamentin holandez vendosën miratimin e këtij mocioni që detyron qeverinë të nisë procedurat e pezullimit të lëvizjes së lirë së shqiptarëve në këtë shtet.

Parlamenti holandez votoi sot mocionin e 5 partive anëtare për pezullimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve.

“Pas diskutimeve të shumta, duke vënë në dukje se:
ka pasur një rritje të ndjeshme të aktiviteteve kriminale nga mafia shqiptare në Holandë; ndërsa këto organizata kriminale keqpërdorin mundësinë për të udhëtuar pa viza përmes Evropës dhe të zgjerojnë më tej rrjetin e kontrabandës, i kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent të lëvizjes pa viza për Shqipërinë“, thuhej në njoftimin zyrtar të Parlamentit holandez.

Bëhet e ditur se meqenëse Holanda është pjesë e zonës Schengen, ata duhet të bëjnë një pezullim të vizave në konsensus të BE-së. Nëse aprovohet ky votim, atëherë Holanda do të kërkojë të përdoret “frenimi i emergjencës” e lejueshme të përdoret kur cenohet siguria e një shteti nga një shtet i caktuar.

5 parti kërkuan votim sot (VVD, CDA, PVV, SP, CU) të cilat kanë bashkë 92 deputetë (nga 150).