Dëgjesë publike me biznesin, prezantohet paketa fiskale e 2027
Në kuadër të përmbylljes së dëgjesave publike para draftit final të projekt-buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027, bashkia e Matit zhvilloi dëgjesën publike me përfaqësues të biznesit. I pranishëm në këtë dëgjesë, Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni tha se sa i përket paketës fiskale e cila prek edhe biznesin nuk do të ketë asnjë ndryshim nga ajo e vitit të kaluar. Po ashtu, Bojni kërkoi bashkëpunim dhe mirëkuptim nga sektori i biznesit në pagimin e tarifave vendore në mënyrë që të ardhurat që mblidhen të përkthehen në investime. Duke qenë se paketa fiskale nuk do të ketë ndryshime, kryebashkiaku i Matit Altin Bojni shpalosi edhe prioritetet e bashkisë Mat në investimet e vitit të ardhshëm, që prekin edhe biznesin. Nga ana tjetër përfaqësues të bizneseve të pranishme në këtë dëgjesë kërkuan mbështetje nga pushteti vendor, kryesisht ata në sheshin “Kastriotët” të qytetit. Për këtë Bojni u shpreh se ende nuk është dorëzuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit investimi dhe se më pas do të mendohet zgjidhje gjithëpërfshirëse.