Futboll / Nesër, tjetër sfidë e vështirë e Burrelit, pret në “Liri Ballabani” ekipin e Bylisit
Për trajnerin e sapo emëruar në krye të skuadrës së futbollit “Burreli”, Klevis Dalipi, e diela do të jetë një tjetër sfidë për të. Duke qenë se në javën e parë të tij skuadra luan dy ndeshje të Mërkurën ndaj Korabit dhe të dielën ndaj Bylisit, për Dalipin sfida për ta nxjerrë Burrelin nga rezultatet negative mbetet e vështirë. Numri një i pankinës matjane e mori drejtimin e Burrelit ditën e martë, teksa të mërkurën ju desh të përballej me skuadrën e Korabit. Por edhe për ndeshjen e nesërme koha nuk ka qenë e mjaftueshme për tu njohur shumë mirë me grupin që do t’i besojë përballjen e nesërme. Skuadra e Bylisit ndodhet aktualisht në vendin e 6 të renditjes së përgjithshme dhe ka grumbulluar në 8 javë kampionat 12 pikë. Kjo e bën atë një rival të fortë për matjanët, pasi synon kreun e tabelës. Nga ana tjetër, skuadra e Burrelit mbetet në vendin e 11 me vetëm 6 pikë në total në 8 ndeshje të luajtura deri tani. Grupi i tifozëve matjan ka organizuar një mbështetje të fuqishme të ekipit të tyre të zemrës në ndeshjen e së dielës e cila do të luhet në orën 13 e 30 minuta. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të kësaj jave janë: Besa – Pogradeci, Kastrioti – Korabi, Oriku – Besëlidhja, Sopoti – Iliria dhe Flamurtari – Kukësi.