ZJARR NË LAGJEN “HALILAJ” TË SUÇIT, NDËRHYRJA E SHPEJTË E SHËRBIMIT ZJARRFIKËS TË KLOSIT SHPËTON BANESAT
Një vatër zjarri është aktivizuar këtë të mërkurë në fshatin Suç të Bashkisë Klos. Flakët përfshinë fillimisht një sipërfaqe kullote por për shkak të temperaturave të larta dhe erës ato u përhapën me shpejtësi. Vatra e zjarrit ishte në lagjen “Halilaj” dhe flakët rrezikuan edhe një kabinë elektrike. Por falë ndërhyrjes së shpejtë të Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Klos, u bë e mundur bllokimi i zgjerimit të vatrës. Dy automjetet zjarrfikëse të Bashkisë Klos ndërhynë në të gjithë perimetrin duke mos lejuar zjarrin t’i afrohet banesave që ndodheshin në zonë. Sakaq, vatra e zjarrit në vendin e quajtur Qaf Helmes, Bataçe, fshati Kacni, Njësia Administrative Selishtë, që kishte nisur nga ana e Bulqizës, ka përshkuar rreth 16 ha me pyll ahu. Zjarri ka qenë përshkues. Nga dita e parë ka vazhduar puna nga toka me rreth 100 punonjës të zjarrfikëses, të drejtorive e sektorëve të ndryshëm nga Bashkia Dibër të Nj.A. Selishtë si dhe vullnetarë. Zjarri aktualisht është i izoluar, por po mbahet nën monitorim pasi ka kërcunj brenda vatrës që digjen dhe nxjerrin tym por pa rrezik përhapjeje të flakëve.