Një banesë në katin e pestë të një pallati në lagjen “Pjetër Budi” të qytetit të Burrelit u përfshi nga flakët këtë të enjte.

Flakët u përhapën me shpejtësi në të gjithë banesën, ndërkohë që familjarët arritën të dalin jashtë në kohë dhe të mos pësojnë lëndime.

Menjëherë pranë vendit të ngjarjes kanë mbërritur dy automjetet zjarrfikëse të Bashkisë së Matit të cilat ndërhynë për të parandaluar përhapjen e flakëve në banesat e tjera të pallatit pesë katësh.

Pas disa minutash në luftë me flakët ekipet zjarrfikëse arritën ta neutralizojnë zjarrin.

Paraprakisht mësohet se zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale pasi ka përfshirë gjithë banesën me tre dhoma. Grupi hetimor bën të ditur se zjarri ka djegur thuajse të gjitha orenditë shtëpijake, ndërsa tashmë familjarët do të duhet të strehohen diku tjetër.

Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit në këtë banesë, ndërsa në vendin e ngjarjes grupi hetimor po punon për të zbardhur detaje nga ngjarja.