ZJARR I PËRMASAVE TË MËDHA NË FSHATIN KUJTIM, RREZIKOHEN BANESAT
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së hënës fshatin Kujtim, Njësia Administrative Suç, Bashkia Klos. Fillimisht, flakët janë shfaqur në disa sipërfaqe me barishte, por më pas zjarri ka dalë jashtë kontrollit. Si pasojë, janë djegur disa mullarë me bar si dhe pemë frutore, ndërsa flakët janë përhapur në një zonë me pyll pranë fshatit dhe po afrohen rrezikshëm drejt banesave. Në vendngjarje ndodhen punonjës të Bashkisë Klos, forcat zjarrfikëse, banorë të zonës, si dhe shërbimet e Policisë, të cilat po ndihmojnë në përballimin e situatës. Banorët kanë bërë apel për shtimin e forcave në terren, pasi zjarri vijon të përhapet dhe rreziku për tu afruar tek banesat mbetet i lartë. Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm. Policia ka nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit, ndërsa forcat operacionale dhe banorë të fshatit vijojnë punën për izolimin e vatrave të zjarrit.