APELI I BANORIT TË PLANIT TË BARDHË: NDËRHYNI TEK PJESA E SHEMBUR
Dëmtimi i murit mbrojtës të rrugës së Arbrit në fshatin Plan i Bardhë ka shqetësuar banorët e këtij fshati. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme pa nisur ende reshjet e shiut, pasi situata sa vjen e agravohet. Rruga u dëmtua fillimisht nga shirat e vjeshtës së vitit të kaluar, ndërsa deri tani nuk është marrë asnjë masë. Banorët deklarojnë se lëvizja e tokës ka vijuar edhe gjatë muajve të verës, duke treguar një rrezik në rritje tani me nisjen e reshjeve të shiut. Çarja e tokës rrezikon jo vetëm të bllokojë qarkullimin e automjeteve në rrugën e Arbrit, por edhe tokat bujqësore të banorëve të fshatit Plan i Bardhë, ndaj ata kërkojnë të ndërhyhet sa më parë. Reshjet e vjeshtës së vitit të kaluar shkaktuan dëme të ndryshme në rrugën e Arbrit nga Qafa e Buallit e deri tek Shkalla e Tujanit në Tiranë. ENVER DOÇI