Rruga e fshatrave Cerujë e Patin rrezikon shembjen
Banorët e fshatrave të Cerujës dhe Patinit, në bashkinë e Klosit, rrezikojnë të mbeten të izoluar. Shembja e një pjese të anës së poshtme të rrugës rrezikon më së shumti ata që lëvizin për herë të parë në këtë aks rrugor. Drejtuesit e mjeteve shprehen se ka afro një vit që rruga është në këtë gjendje dhe nuk është marrë asnjë masë për rehabilitimin e dëmit. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente pasi sipas tyre, shembja e rrugës rrezikon të izolojë fshatrat që lidhen përmes saj me qytetin e Klosit. Përdoruesit e këtij aksi shprehen se jo vetëm që rruga rrezikon të shembet e gjitha dhe të bllokojë qarkullimin por edhe në kushtet që është ajo rrezikon jetën e banorëve pasi nuk ka asnjë sinjalistikë paralajmëruese në të. Drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës e lidhin këtë shembje të tokës buzë rrugës së fshatrave Cerujë e Patin me mungesën e kanaleve kulluese të betonuara.