Pleshë / Lagjja “Bala” rrezikon të izolohet, shembet një pjesë e rrugës
Banorët e lagjes “Bala” në fshatin Pleshë të Bashkisë së Klosit rrezikojnë të mbeten të izoluar. Shkak për këtë është bërë dëmtimi i rrugës që lidh këtë lagje me rrugën kryesore të fshatit. Shefqet Bala deklaron se prej një viti rruga rrezikon të shembet e gjitha për shkak se muri që ishte ndërtuar më parë nuk është më aty. Ai thotë se nëse nuk ndërhyhet tani, lagjja rrezikon të mbetet pa rrugë automobilistike me nisjen e reshjeve të vazhdueshme të shiut pasi traseja është ngushtuar si pasojë e shembjes në anën e poshtme. Nga ana tjetër, Shefqeti thotë se kanë bërë disa herë kërkesë në pushtetin vendor por deri tani nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar shembjen e mëtejshme të kësaj rruge që është jetike për të gjitha familjet që banojnë në këtë lagje. Shqetësimi më i madh i banorëve të lagjes “Bala” në fshatin Pleshë është rreziku i aksidentimit me automjete për shkak se rruga është ngushtuar shumë dhe rrezikojnë daljen prej saj, për të përfunduar në greminë.