FA në kërkim të kandidatëve për 250 ushtarë/detarë aktiv
Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë hapur aplikimet për ushtarë/detarë aktiv për të gjithë të rinjtë të moshës deri në 30 vjeç. Mosha minimale e rekrutimit në forcat e armatosura është 18 vjeç, ndërsa për tu bërë pjesë duhen plotësuar disa kritere. Për të filluar procesin e rekrutimit i interesuari duhet të plotësojë një sërë kriteresh dhe dokumentash. Shtetasit që kërkojnë të aplikojnë për ushtarë/detarë aktivë në FA duhet të aplikojnë drejtpërdrejt në zyrën e pranimit në Qendrën e Personel Rekrutimit, e cila vijon procedurat e testimit dhe përzgjedhjes me kandidatët që janë gjykuar të aftë nga ana shëndetësore. Për t’u rekrutuar, kandidatë duhet të plotësojnë një seri kriteresh, të cilat përfshijnë: të jenë shtetas shqiptarë, të kenë kryer arsimin 9-vjeçar, të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të kalojnë një testim fizik, psikologjik dhe intelektual. Gjithashtu, ata duhet të kenë një figurë të pastër morale dhe të mos kenë probleme me ligjin. Aplikimet për tu bërë pjesë e forcave të armatosura kanë nisur dhe afati për dorëzimin e dokumenteve është data 15 Janar. Ndërkohë stërvitja individuale bazë do të zhvillohet në periudhën 22 Shkurt 2027 deri në datën 30 Prill 2027. Të gjithë të rinjtë matjanë që duan t’i bashkohen Forcave tona të Armatosura mund të paraqiten pranë zyrës së rekrutim-mobilizimit që ndodhet përballë godinës së Bashkisë Mat, për të marrë udhëzimet e nevojshme.