Futboll / Besa vs Burreli në barazim, vjen pika e parë për trajnerin Klevis Dalipi
Në ndeshjen e tretë të luajtur si drejtues teknik i skuadrës së futbollit “Burreli”, trajneri Klevis Dalipi këtë të shtunë ka arritur të marrë rezultatin pozitiv. Pas humbjeve ndaj Korabit dhe Bylisit, skuadra matjane barazoi në ndeshjen e kësaj të shtune në transfertë ndaj Besës së Kavajës. Ndeshja e luajtur në Kompleksin sportiv “Besa” përfundoi me pikë dhe gola të barabartë pasi të dyja skuadrat shënuan nga një herë në portat kundërshtare. Ka qenë Burreli ai i cili ka kaluar i pari në avantazh me golin e shënuar nga Xhabrahimi në minutën 76, por avantazhi i matjanëve nuk ka zgjatur shumë pasi vendësit barazuan shifrat vetëm katër minuta më vonë me Spahiun. Ky barazim i ka kushtuar Besës dy vende në renditjen klasifikuese teksa kanë zbritur në vendin e 4 me 18 pikë, ndërsa Burreli qëndron po në vendin e 11 me 7 pikë deri tani. Ndeshjet e tjera të luajtura këtë të shtunë përfunduan: Iliria – Oriku 1 me 0, Kukësi – Sopoti 2 me 0, Bylis – Kastrioti 2 me 1 dhe Pogradeci – Besëlidhja 1 me 0. Në ndeshjen e radhës, Burreli do të presë në “Liri Ballabani” ekipin e Pogradecit.