TUNELI MURRIZIT MBYLLET NË TETOR?!
Problemi i deformimit të tunelit të Murrizit, një nga veprat më të rëndësishme të rrugës së Arbrit, vijon të jetë i pazgjidhur. Në afërsi të daljes në anën e fshatit Bastar-Murrize të Tiranës, deformimi i asfaltit është i dukshëm ku muajt e fundit është bërë më problematik. Po ashtu edhe çarjet anësore janë të dukshme, ndonëse kompania ndërtuese është kujdesur që t’i mbyllë që të mos duken për kalimtarët. Megjithatë, ajo që mbetet e rëndësishme është se si do të ndërhyhet për të riparuar këtë dëmtim që ka nisur shumë muaj më parë. Burime pranë kompanisë thanë se janë dy opsione për të rregulluar dëmtimin që ka pësuar asfalti brenda tunelit. E para është zhvendosja e gjithë trafikut të automjeteve nëpërmjet bypassit të Murrizit i cili është rehabilituar i gjithi dhe opsioni i dytë është menaxhimi i trafikut nëpërmjet tunelit të emergjencës. Jo zyrtarisht mësohet se devijimi i lëvizjes do të bëhet nëpërmjet xhepave që lidhin dy tunelet, duke shmangur pjesën ku do të ndërhyhet në tunelin kryesor. I gjithë ky proces pritet të zgjasë rreth tre muaj, ndërsa nëse vendoset opsioni i dytë, mund të bëhet nëpërmjet vendosjes së semaforëve.