NIS ZBATIMI I PROJEKTIT PËR ASFALTIMIN E TRE RRUGËVE NË BASHKINË KLOS, VENDOSET TABELA
Rrugët e fshatrave Bel-Unjate, Gurrë e Madhe – Mishtër dhe Fullqet – Lagjja “Rata” dhe “Dardha” do të asfaltohen brenda një harku kohor të 12 muajve. Një tabelë e vendosur në hyrje të rrugës së fshatit Bel – Unjate tregon investimin në këto tre rrugë që do të asfaltohen në harkun kohor të 12 muajve. Sipas të dhënave gjatësia e këtyre tre rrugëve që do të asfaltohen shkon në total prej 7.5 kilometra ku 4.5 kilometra është rruga Bel – Unjate, 1.425 kilometra rruga Gurrë e Madhe – Mishtër dhe 1.580 kilometra është rruga e lagjeve Dardha e Rata në fshatin Fullqet. Mësohet se fillimisht puna ka nisur për përgatitjen e rrugës së parë për asfalt që është ajo e fshatrave Bel – Unjate dhe më pas do të nisë në rrugët e tjera. Firma zbatuese e projektit ka nisur nga puna për hedhjen e shtresave të zhavorit, e më pas do të bëhet përgatitja e tyre për të hedhur shtresën e asfaltike. I gjithë projekti për të tre rrugët do të kushtojë rreth 90 milion lekë të reja dhe financohet nga buxheti i Bashkisë së Klosit.