Riparimet e rrugëve të asfaltuara vijojnë të jenë një problematikë e madhe në të gjitha rrugët nacionale ku punimet kryhen jo sipas standardeve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me rrugën e Arbrit, kryesisht në Bajpasin e Murrizit. Gropat e hapura në këtë segment janë mbushur me zhavor e sipër tij është hedhur zift. Kjo ka bërë që jo vetëm të mos jetë i qëndrueshëm “asfaltimi” por të kthehet edhe në burim aksidenti. Për shkak të temperaturave të larta të motit, gjatë ditës, zifti shkrin dhe nëse mjetet kalojnë mbi të, hapsirat boshe të gomave mbushen me material që kthehet në rrezik për drejtuesit e automjeteve. Disa nga këta të fundit janë përballur me befasi teksa kanë vënë re që në gomat e automjeteve të tyre ka ngjitur zifti. Rasti i këtij të riu që është ndalur për ta pastruar, është ndër rastet e shumta ku mjetet që qarkullojnë nëpërmjet bajpasit të Murrizit, sidomos gjatë pikut të nxehtë të verës, e bëjnë një gjë të tillë.
Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve kërkojnë që të merren masa të menjëhershme për rehabilitimin e këtij aksi, pasi prania e ziftit në të gjithë segmentin po rrezikon buxhetin dhe jetën e përdoruesve të Rrugës së Arbrit.