Zhvillohet kampionati i mundjes në Gollobordë

Zhvillohet kampionati i mundjes në Gollobordë

Sporti i mundjes tradicionale ka bashkuar sportist të shumtë nga zona e Gollobordës në Bulqizë dhe shumë vende të tjera. Bashkia Bulqizë në bashkëpunim me Shoqatën e Mundjes se Gollobordës, ka mundësuar, zhvillimin e Kupës së 13-të tradicionale në sportin e mundjes në Ostrenin e Madh, të zonës së Gollobordës, ku morën pjesë sportistë të grupmoshave të ndryshme, jo vetëm nga kjo zonë që tradicionalisht njihet për ushtrimin e sportit të mundjes, por edhe të ardhur nga qytete të tjera të vendit. Po ashtu aktiviteti u ndoq nga kryetarët e Bashkive Dibër e Mat, Rahim Spahiu e Altin Bojni si dhe Ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë Ivaylo Kirov. Ky aktivitet, që tashmë është kthyer i përvitshëm, startoi me një koncert festiv përgatitur nga nxënësit e Shkollës së Mesme, Ostren. Kryebashkiakja e Bulqizës Festime Mjeshtri tha se ky organizim nuk është vetëm garë, por edhe promovim i kulturës së zonës së Bulqizës. Ish-mundësi Ajet Duka tha se ky sport është po aq i vjetër sa vetë Golloborda. Aktiviteti filloi me garat për Kupën e Mundjes Tradicionale të Gollobordës, të cilat u shoqëruan nga grupi i daulleve dhe curleve të zonës, ku garuan tre grupe. Për grupin e para të rinjve deri 15-vjeç, fitues u shpall Leon Halilaj nga Lladomerica, për grupin e dytë të rinj 15-20 vjeç fitues u shpall Ibrahim Sula nga Tirana dhe për grupmoshën e rritur mbi 20 vjeç fitues u shpall Paris Karepi i cili fitoi kupën kryesore dhe dashin, simbol të kësaj gare tradicionale.