Bashkia e Matit nëpërmjet disa njoftimeve të bëra tek grupi i interesit por edhe për qytetarët njoftoi zhvendosjen e shitjes ambulatore nga tregu aktual i frutaperimeve në lagjen “Pjetër Budi” tek tregu i ri në Lagjen e Re.
Tregtarët ambulator do të duhej të zhvendoseshin këtë të hënë tek tregu i ri, por asnjë nuk e ka bërë. Sakaq policia Bashkiake nuk ka lejuar shitjen ambulatore në brendësi të tregut ekzistues. Ndërkohë, vetë tregtarët ambulator thanë se tregu i ri nuk ofron asnjë kusht për ta, ndaj dhe refuzojnë të shkojnë atje.
Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se tregu aktual nuk ofron asnjë kusht për tregtimin e produkteve të frutaperimeve, ndryshe nga tregu i ri. Ai shtoi se do të bashkëveprojnë disa organizma për të bërë zhvendosjen e tregtarëve ambulator nga tregu në lagjen “Pjetër Budi”, tek tregu i ri tek ish agjensia.
Nga ana tjetër, Malaj tha se tregu i ri ambulator do të shërbejë vetëm për tregtarët ditor dhe se nuk ofron sigurim të mallit për ditën pasardhëse. Kryebashkiaku Agron Malaj tha se brenda këtij viti do të vendoset në efiçencë edhe tregu ngjitur për grumbullimin e mallrave me shumicë.
kronika