“Zhduket” blegtoria në Dibër?

“Zhduket” blegtoria në Dibër?

Ulja drastike e numrit të bagëtisë së imët por edhe gjedhëve në Dibër është një fenomen që po ndodh çdo vit. Duke qenë se Dibra është shumë e favorshme për zhvillimin e blegtorisë, para viteve ‘90-të kishte me mijëra krerë të imta por edhe gjedhë. Numri i krerëve ka rënë në mënyrë drastike. Në zonën e Maqellarës, banorët thonë se dikur kishte më shumë se 15 mijë kerë bagëti të imtë e cila kullotej në bjeshkët e zonës. Por sot numri ka rënë në mënyrë drastike, pasi ka shumë pak blegtor që kanë numër të kufizuar. Banorët shprehen se në këtë periudhë bjeshkët “pushtoheshin” nga blegtoria, e cila kthehej në burim të ardhurash për shumë familje të Maqellarës, por sot malet janë krejt bosh. Për banorët e Maqellarës, shkak kryesor i kësaj situate është mungesa e një politike të mirëfilltë mbështetje ndaj blegtorisë nga ana e institucioneve shtetërore. Kjo ka bërë që shumë blegtorë të heqin dorë nga mbarështimi i të imtave e gjedhëve, ndërsa të rinjtë të largohen jashtë vendit për një jetë më të mirë. Ashtu si braktisja e fshatrave nga banorët, i njëjtë është edhe fenomeni i bagëtisë e cila po “zhduket” dita ditës.